Bashkia e re e Poliçanit përbëhet nga qyteza ish-industriale e Poliçanit dhe dy komuna të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qytezën pasi kanë qenë më parë pjesë e rrethit Berat. Nga këto, komuna Tërpan, e cila shtrihet në një terren të thyer malor është më problematike për shkak se është ngushtësisht e lidhur me Beratin dhe jo me qendrën e re administrative.

Qyteti i Poliçanit ka qenë një qendër e rëndësishme e industrisë ushtarake dhe e industrisë së materialeve të ndërtimit për shkak të burimeve të mëdha të gurit. Poliçani ka qenë më herët një fshat në varësi të Beratit, i cili u shpall qytet në vitin 1967.

Industria mekanike pushoi së ekzistuari pas viteve 1990 dhe u kufizua në disa raste vetëm në procesin e demontimit të municioneve, gjë që solli papunësi shumë të lartë në qytezë, e cila filloi të depopullohej nga të rinjtë. Shfrytëzimi i rezervave të gurit vijon sot në mënyrë private. Industria e nxjerrjes së gurit dekorativ është në ditët e sotme një resurs i konsiderueshëm ekonomik për zonën.

Poliçani konsiderohet edhe si një qendër e rëndësishme e Bektashizmit në Shqipëri dhe ka në territorin e saj një pjesë të konsiderueshme të parkut kombëtar të Tomorit. Për rrjedhojë, turizmi fetar dhe ai malor mund të kthehen në një element të rëndësishëm të bashkisë së re.

Të ardhurat në zonat rurale vijnë kryesisht nga kultivimi i ullirit dhe rrushit, por edhe drurëve të tjerë frutorë si gështenjat, arrat dhe fiqtë.